‘Vi.ktimat e COVID-19 va.rrosen më thellë se zakonisht’/ Si po kryhen ceremonitë mortore këto kohë në Tiranë

Përcjellja për në banesën e fundit është gjithmonë e dhimbshme. Por në këtë kohë pandemie, dhimbja është më e fortë. Shqiptarët i janë bindur rregullave, duke hequr dorë nga një prej të nderimeve më të forta zakonore, atij për të ndjerin. Heshtja e përhershme në varrezat publike, është bërë më e ftohtë në këto ditë vetëizolimi.

Me 22 jetë të humbura nga koronavirus, Tirana është Bashkia më e madhe me numrin e prekurve dhe të vd.ekurve.

“Në  Bashkinë e Tiranës janë realizuar 10 varrime të personave më koronavirus. Ne normalisht i regjistrojmë të gjitha skedat e vdekjeve, nuk jemi të specializuar në këtë fushë, por gjithsesi shkaqet janë edhe të viteve më parë. Rastet me koronavirus janë të mirëpërcaktuara në certifikatat e vdekjes që ne i marrim nga Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh Raimonda Shino.

Drejtoresha e Përgjithshme e “Agjencisë së Shërbimit Funeral” në Bashkinë e  Tiranës, Raimonda Shino flet për shifra brenda kufijve normal të vdekshmërive, duke e krahasuar me një vit më parë.

“Ajo që dua të veçoj për rastin e COVID, është se ceremonia kryhet direkt nga morgu i spitalit. Nuk kemi mbajtjen në shtëpi. Nga morgu, i ndjeri sillet direkt në varreza. Pjesa teknike është në zbatim të ligjit. Ka masa më të forta në drejtim të dezinfektimit”, u shpreh ajo.

Në një protokoll të paracaktuar, banesa e fundit për të ndjerët me COVID-19 ka një thellësi më të madhe, ndërkohë që në ceremonitë e zhvilluara mungojnë përgjithësisht familjarët e afërt.