Struci Lulzim, me kokën në thes dhe b…në ajër



Sa i lumtur ishte sot Lulzim Basha! A nuk e vutë re edhe ju në fotot që publikoi në Facebook, ku njoftonte se kishte takuar ambasadoren e SHBA në Shqipëri, zonjën Yuri Kim. I lumtur deri në ekstazë. Më në fund kryetari kishte një sebep të dilte meidanit. Jo atij meidani ku duhet të ishte, të kuptohemi. Nuk u takua as me të vetët, as me elektoratin, as tha ndonjë gjë me mend. Kishte takuar ambasadoren! Eureka! Kishte arsye të dilte edhe një herë dhe të llomotitë të njëjta fjalë boshe se, PD… ska ndër mend të bëjë asgjë. Pikërisht! Për aq kohë sa të jetë ai në krye të partisë më të madhe opozitare në vend, askush nuk do të lëvizë as gishtin e vogël.



Dhe kryetari e ka një arsye që bën kështu. Mos mendoni se se kjo ndodh rastësisht.



A thua e mban mend njeri kur ka dalë për herë të fundit në ekran, për të shpalosur alternativën e tij politike, Lulzim Basha?

Për herë të fundit ka qenë në qeshorin e vitit të kaluar, në emisionin Opinion, në një lidhje nga telefoni (pra jo në studio) dhe që nga ajo ditë, ai u zhduk. I vetmi nga PD që ishte edhe para pak ditësh në studion e një emisioni politik ishte Sali Berisha. Por Berisha tanimë është një politikan në pension dhe çfarë do që të thotë, nuk është më ai që i vë pikën fjalisë. Duhet të jetë Lulzimi.

Po ku është Lulzimi? Ku ka përfunduar djali i Bashajve të PD-së?

Politologët thonë se ndoshta ka frikë të dalë sepse ka dështuar. U vërtetua tashmë që rruga radikale që zgjodhi ai për të bojkotuar parlamentin, nuk funksionoi. U vërtetua se nuk pati këllqe të shkonte me tej me revoltat në shesh dhe se PD është në prag të shpërbërjes si parti. Për këtë arsye, thonë politologët, Basha fshihet.

Por le të themi që është tamam kështu. Basha dështoi. Por çfarë do bëjë tani e tutje ai. Pse nuk del të ngushëllojë të vetët e tu thotë, “mos u dëshpëroni sepse kjo ishte vetëm një betejë e humbur”. Pse nuk del ta thotë se çfarë ka në plan, si do e rrëzojë Ramën dhe si do ta marrë ai pushtetin? Pse nuk del djali i Bashajve të PD-së të na tregojë se çfarë strategjie ka? A ka një strategji tek e fundit?

Për më tepër që moment më të mirë se ky Lulzim Basha nuk mund të gjente. Edi Rama është në zgrip të pushtetit por edhe jetës së tij politike prej gafave që ka bërë. Ky mund të ishte momenti i artë për të në një Shqipëri të zhytur në krim, me miliarda të hedhura për oligarkët e kryeministrit, varfëri ekstreme, ikje nga sytë këmbët, dëshirë e ethshme për një dritë shprese. Por prap, Luli nuk ndihet.

Ai vazhdon të luajë modelësh me ata që i vijnë në zyrë, përfshirë edhe ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë. Lëpin flokët me llak, buzëqesh e del në fotografi. Sot me ambasadoren, dje më atë gruan që bënte pazaret e ditës.

Katastrofë! Dështim! Historia e epokës së demokracisë në Shqipëri nuk ka parë deri më sot një Don Kishot të tillë. Shqiptarët nuk kanë parë deri më sot një sharlatan politik të këtyre përmasave. Një njeri të paaftë, jo vetëm politikisht. Një pseudo personazh që fshihet si këlyshi i qenit pas këmbës së padronit të vet dhe leh me gjysmë zëri.

Kështu po bën edhe Lulzim Basha. Sepse ai është shitur me kohë. E ka kapërdirë lugën e çorbës së prishur dhe e vjella nuk e shëron dot. As sot, as kurrë! Nëse Edi Rama ka korrur një fitore gjatë këtyre viteve në pushtet, mund të thuhet me plot gojën se ajo fitore ka vetëm një emër: Lulzim Basha.

Kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, që pasi vodhi, vrau njerëz ditën për diell, pasi shkatërroi çfarë gjeti në partinë që i bënë dhuratë, futi kokën në lak dhe tani po lëpihet në thesin e pushtetit të kundërshtarit të tij.

Lulzim Basha nuk lëshon dot as zë dhe nuk lëviz dot as gishtin e vogël të dorës. Sepse është përlyer që kur mori çelësat e vilës në dorë, kur nisi për në llogaritë jashtë vendit ato paratë e pisëta, dhuratë e miqve të përbashët, që kur emri i figuroi nëpër transferta të dyshimta me emra të dyshimtë botërore. Ai e ka kryer marrëveshjen e vet!

Luli i vocërr tashmë është si urithi që gërmon e gërmon, thellë e më thellë në tokë. Djali i Bashajve tani është shndërruar në një struc këmbëgjatë, të shëmtuar, me flokët e ngjyer me xhel që kokën e ka futur në thesin e ndyrë të benefiteve të pushtetit, të të njëjtit pushtet për të cilin flet nganjëherë me zë të ngjirur ndërsa prapanicën e ka lënë jashtë. Dhe këshut kujton se fshihet.

Lulzimi, njësoj si struci, mendon se askush nuk e sheh. Ai beson se duke publikuar ndonjë foto do të duket sikur bën punë. Sikur po përpiqet.

Sa turp!

Zgjohu Lulzim! Nxirre kokën nga thesi, nxirre se vetëm kokën ke aty brenda. Të gjitha hallatet e tjera i ke jashtë, krejt zbuluar. Dhe po ti shohin të gjithë…/Pamfleti