Stefan Çapaliku: Shqipëria prodhon bukë sa për të ngrënë të gjithë turpet e botës

Nga Valeria Dedaj

Dramaturgu analizon situatën ku gjendet arti sot në Shqipëri. Ndalet tek shembja e Teatrit Kombëtar, politikat e ministrisë së Kulturës në art, deri tek sfida që ka shteti, për restaurimin e besimit të individëve. Sipas tij, e drejta për vendimmarrje u takon, atyre, që e jetojnë të sotmen me të nesërme

Nëse bëhet fjalë për të mbrojtur kauza të drejta si ajo e Teatrit Kombëtar, nuk ka rëndësi numri. Le të jenë ata 20 apo 30 vetë, e drejta, sipas Stefan Çapalikut, i takon pakicës, njerëzve vizionarë, që nuk e jetojnë të sotmen pa të nesërme. Shqipëria, sipas dramaturgut dhe regjisorit të mirënjohur, është katandisur në një furrë të madhe buke, e gatshme për të ngrënë turpet e veta. Ngjarjet e fundit lidhur me dëmtimin e trashëgimisë kulturore e konfirmojnë këtë. Njerëzit kanë humbur besimin rrëfen Çapaliku në këtë intervistë për gazetën “Shekulli”, edhe restaurimi i besimit të individit te shteti nuk është sfidë e tyre, por e shtetit. “Shteti duhet të marrë masa në mënyrë që individi të mos e konsiderojë armik apo institucion, që e rren dhe e mashtron, por një aleat për të ardhmen dhe perspektivën e vet”, shton më tej ai. Çapaliku thekson ndër të tjera, se politika nuk mund të sillet kurrsesi si pronare me pronën publike pasi ajo na takon të gjithëve ne. Ai kritikon gjithashtu ashpër ministren e Kulturës për menaxhimin e buxhetit, mospërkrahjen e kritikës, pse jo me një revistë të posaçme dhe izolimin kulturor, që sipas tij, i ka bërë vendit tonë. “Teatrin e ka futur në bunker. I ka caktuar një bunker, duke thënë: Këtu brenda bëni teatër për njëri-tjetrin”, shprehet regjisori.

Profesor, si e vlerësoni situatën që është krijuar këtë periudhë për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar?

Unë mendoj, më së pari, se teatri duhet konsideruar nga të gjithë, politikanë dhe jopolitikanë, si një e mirë publike. Në momentin, që të konsiderohet, si një e mirë publike duhet që të shoqërohet me një tufë aktesh ligjore, që e mbrojnë, si të tillë.

Që të shkohet tek ky koncept, pra tek “teatri si një e mirë publike”, duhet që të angazhohen i madh edhe i vogël, dhe veçanërisht sistemi shkollor, për t’ua bërë me dije njerëzve, se ekziston një taksë, sado e vogël, që ata japin për kulturën, dhe që ajo duhet t’u kthehet mbrapsht nëpërmjet një institucioni, siç është teatri, ku ne mund të çojmë fëmijët tanë, të kontaktojnë me Shekspirin, Gëten, Molierin, Shilerin, Brehtin etj., pra me të gjithë ata njerëz që përbëjnë bazamentet, shtyllat e asaj që quhet kulturë humanistike.

Vë re me keqardhje se deri më sot nuk kemi një program të tillë, që t’ua bëjë me dije njerëzve, veçanërisht në kushtet kur shprehitë e leximit publik janë jashtëzakonisht të ulëta, se teatri mund ta realizojë një mision të tillë. Pra, teatri mund të bëhet një mediator midis nesh edhe veprave të autorëve të mëdhenj. Kështu, edhe ne bëhemi qytetarë më të mirë, bëhemi qytetarë më të ndershëm, bëhemi evropian. Ne nuk mundet që ta konsiderojmë veten pjesë integrale edhe reale të Evropës, nëse nuk kemi institucionet e kulturës. Apo, kur institucionet e kulturës nëpërkëmben, kontrollohen dhe përdoren politikisht, derisa edhe eliminohen.

Në këtë kuptim unë mendoj se nuk ka sens, që ne të bisedojmë për Teatrin Kombëtar shqiptar, të bisedojmë për godinën, duke dhënë koncesione, të cilat nuk na takon, që t’i japim.

Përse nuk na takon që t’i japim?

Për shkak se ne, me këtë nënkuptoj të gjithë mandatorët e komunitetit teatror, nuk jemi pronarë, aq më pak politika nuk është pronare. Nëse fiton votat, si parti politike, kjo nuk do të thotë, se bëhesh automatikisht pronar i një toke, që mund ta japësh, ta shesësh apo edhe ta falësh. Kjo do të ishte një skandal i vërtetë, një mediokritet i vërtetë, një verbëri totale, një maskarallëk. Partia që fiton votat, është më së paku administratore e një hapësire publike, pronarë të së cilës jemi të gjithë ne. Pra, ky është problemi i parë, që askush nuk duhet që të sillet si pronar me pronën publike.

E dyta, është që ne kemi trashëguar një teatër, i cili ka lindur në një kontekst të caktuar historik. Në kohën e Italisë, është krijuar një qendër multiart në qendrën e Tiranës, me qëllim për t’i edukuar njerëzit me shprehitë artistike, e cila ka rezultuar se nuk është një strukturë e përkohshme, siç është përfolur. Këtë e tregon fakti se vazhdon që të jetë në këmbë, të ketë aktivitet, pavarësisht se njerëzit që e kanë drejtuar nuk kanë treguar kurrfarë kujdesi, por e kanë keqtrajtuar me qëllim, duke filluar nga drejtori aktual, i cili, në mënyrën më të paskrupullt, nuk ka vënë një furçë bojë apo një gisht gëlqere mbi teatrin.

Kjo tregon qartë se këta njerëz janë dashakeq të kësaj pune dhe duan që kjo hapësirë të shkatërrohet, t’u jepet disa grupeve, që Ruajna Zot të kenë lidhje me artin dhe me teatrin, sepse kanë qëllime krejtësisht komerciale. Këtu flitet sesa dyqane do të ketë, por jo se sa salla teatri.

Së treti, një moment tjetër i patolerueshëm është se si mundet që projekti i një ndërtese publike të shpallet duke mos qenë rezultat i ndonjë konkursi. Kjo është jashtë çdo koncepti demokratik. Si mundet që një objekt publik t’i delegohet një studioje, pavarësisht famës që ka. Unë jam krejtësisht i bindur, edhe për këtë kam referenca, se çdo studio arkitektonike në Evropë është e interesuar, që të marrë pjesë në një konkurs, që ka për qëllim ndërtimin e një Teatri Kombëtar. Teatrot kombëtarë ndërtohen kaq rrallë, edhe është kaq atraktive për studiot e arkitekturës, saqë nuk do të linte indiferente asnjë prej tyre. Ata që quhen “yjet e arkitekturës” (Stararchitects) janë absolutisht të interesuar, që të jenë pjesë e një konkursi të tillë. Shtoji kësaj edhe problematikat, që e ashtuquajtura projekt-ide, paraqiti si plagjiaturë e studios ukrainase “Forma”, e bën këtë gjë skandaloze dhe krejtësisht të turpshme. Nëse diçka e tillë do të ndodhte në një vend Perëndimor, do të kishin dhënë dorëheqjen të gjithë ata që e kanë organizuar një skifo të tillë.

Vetëm në Shqipëri turpi hahet me bukë. Vetëm Shqipëria prodhon aq bukë, sa për të ngrënë të gjithë turpet e botës. Ajo është një furrë e madhe buke e gatshme për të ngrënë turpet e veta.

Unë vazhdoj që të jem i mendimit se TK mund të restaurohet, të prishet edhe të rindërtohet nga fillimi, mundet që të bëhen çdo lloj adaptimesh arkitektonike, dhe të zbatohen alternativa që vijnë vetëm përmes konkursesh. Konkurset mundet që të na paraqesin ide nga më të ndryshmet, që ne nuk i kemi fare në fantazinë tonë, sepse ne nuk jemi arkitektë. Por kjo s’do thotë kurrsesi që të cenohet territori, që është i yni dhe nesër do të jetë i fëmijëve dhe i nipërve tanë. Po të dalim ne dhe të themi se: “Unë kam folur dhe thënë në media apo kudo, që le të jepet territori i qendrës së Tiranës, disa personave, që kanë dëshirë të bëjnë pallate”, më e pakta, që mund të mendojnë nipërit e mi është: Kemi pasur një gjysh të çmendur!