“Shenjat nuk se janë të mira për zgjedhjet e 25 prillit”

Shkruan Spartak Ngjela
Kryesorja është se zgjedhjet do të administrohen vetëm nga dy partitë e mëdha: ky është një turp i stërzgjatur në Shqipëri.
Por, në të njëjtën kohë, krerët e këtyre partive, janë të gjithë subjekte të kontrollit të pasurisë nëpërmjet hetimit të SPAK-ut, dhe këtu ka një diç të brendshëm që mbetet pa burim informacioni. Kjo sepse, nëse SPAK-u e fillon punën e hetimit, asnjëri prej tyre nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.
E dinë këta krerë këtë? Ata e dinë, por bëjnë sikur nuk ndodh gjë me ta, edhe pse së brendshmi kuptohet që janë të shqetësuar.
Por, brenda këtij procesi, pyetja që ngre ekspertiza ndërkombëtare para politikave të mëdha ndërkombëtare, është kjo: a do të lejohet korrupsioni i lartë shtetëror në Shqipëri që të hedhë në zgjedhjet e 25 prillit paratë e fituara me korrupsion shtetëror?
Politika ndërkombëtare thotë se, këta nuk do të lejohen më që të blejnë zgjedhjet në Shqipëri, me paratë e korruosionit shtetëror. Po, ku e mbështesin këta këtë besim?
Mendimi ynë është që, besimi i Uashingtonit dhe Berlinit për këtë çështje sigurisht që mbështetet te SPAK-u.
Por, pikërisht për këtë, pyetja që duhet të ngrihet këtu është kjo: çfarë po bën ndërkohë SPAK-u, dhe, kur fillon nga puna BKH?
Kjo po pritet me ditë, se vetë burimet po na thonë që është çështje ditësh.
Por, nëse ndodh kjo, kur krerët e dy partive të mëdha do të jenë nën hetim, si do të procedohet me zgjedhjet?
Zgjedhjet, sigurisht që duhet të shtyhen.
Po mbas shtyrjes së datës së zgjedhjeve, si do të procedohet me qeverinë drejtuese, në një kohë që Partisë Socialiste i ka mbaruar mandati?
Pikërisht këtu duhet të nisë një lojë e re: do të duhet të dalë patjetër në skenë një qeveri teknike, së cilës do t’i duhet të drejtojë vendin deri në zgjedhjete e shtyra, duke përmirësuar me themel legjislacionin zgjedhor, madje deri te prekja e kushtetutës.
Ndërkohë, mendim i ekspertizës së lartë të politikës perëndimore për Shqipërinë është vetëm ky: korrupsioni i lartë shtetëror nuk lejon zghedhje të lira në Shqiëri. Dhe kjo është tani një e vërtetë e faktuar.
Por, a ka një skemë të re të Uashingtonit dhe Berlinit për shpëtimin e shqiptarëve nga kjo gjëmë? Dhe, nese ka një skemë të tillë, a do të aplikohet kjo përpara datës 25 prill? Ne mendojmë se po, ajo do të aplikohet para datës 25 prill.
Megjithatë, kjo duhet pritur për t’u parë pikërisht në këtë periudhë parazgjedhore.

Lexo edhe: