Regjisori i njohur Dhimitër Orgocka flet për bashkëshorten: Tani që nuk jeton më, kur kthehem në shtëpi them kush do të më presë?!

Aktori dhe regjisori i njohur korçar Dhimitër Orgocka, ka folur pasditen e sotme për rolet e shumta në Teatrin e qytetit ku lindi, por dhe për teatrot në qytetet e tjera të Shqipërisë dhe jashtë saj.

Regjisori Orgocka ka qenë pasditen e sotme i ftuar në emisionin “Rudina”, ku ka folur dhe për bashkëshorten e tij, Dhorkë Orgocka e cila është ndarë 15 vite më parë nga jeta. Nëse do ta kisha bashkëshorten jeta ime do të ishet më e lehtë ka thënë regjisori, ndërsa ka shtuar se ajo ka qenë mbështetja e tij dhe në teatër pasi kanë luajtur shumë shfaqe bashkë.

“Unë i thashë Dhorkës, gruas time, të vinte bashkë me mua në teatër. Ajo nuk e kishte me aq shumë qejf, por meqë ishim të dy bashkë, erdhi dhe ajo në teatër. Edhe punuam të dy, tërë jetë bashkë në teatër. Madje dhe shtëpinë e kishim si një pjesë të skenës. Ajo ishte gjithnjë më e mirë se unë, sepse punonte në shtëpi dhe bënte punë të tjera dhe më lejonte mua të merresha më tepër me letërsinë, artin në përgjithësi. Tani nuk e kam dhe më vjen shumë mirë që e kujtova sot, që jam tek ju.

Se jam i bindur se po ta kisha atë edhe jetën do ta kisha shumë më të lehtë dhe më të mirë, më të bukur. Por meqënëse punën e kam që largohem shumë herë nga teatri dhe qyteti i Korçës, gjithnjë mendoj kur të kthehem në shtëpi, kush do të më presë them?”, ka thënë aktori dhe regjisori Dhimitër Orgocka.

Dhimitër Orgocka ka vënë në skenë mbi 104 premiera në teatrin e Korçës, Fierit, Elbasanit, Prishtinës e Shkupit, ndërsa si aktor, ai numëron më shumë se 82 role në shfaqje teatrale.