“Po na kë.r.cënojnë sepse…”. Mjekët ngrenë al.armin, nxjerrin të palarat….

Rrëfimet e infermierëve të larguar në Gjermani. Diferencat në kushtet e punës, kontrata dhe pagat, krahasuar me vendin tonë. “Në Shqipëri na kërcënonin me bukën e gojës sa herë kishte zgjedhje. Paguanim nga xhepi për mjetet e punës”

Eksodi i infermierëve po kthehet në një fenomen me përmasa të jashtëzakonshme. Në 5 muajit e fundit kanë aplikuare për të ikur drejt Gjermanisë mbi 1271 infermierë, ndërkohë krahasuar me një vit më parë, numri ka qenë vetëm 900. Por me çfarë përballen këta infermierë në pjesën qendrore të Evropës? Si janë kushtet e punës aty? A e mendojnë më rikthimin në Shqipëri dhe sa mund të krahasohet ky vend me institucionet publike të shëndetësisë sonë? Saimir Bitri, prej 18 muajsh punon si infermier në pavijonin e kirurgjisë në një nga spitalet më të mira në Berlin, i renditur i katërti në botë, për shërbimin që ofron. Bitri rrëfen për “Shekulli”-n se është shpërngulur së bashku me bashkëshorten, pasi vendi i tyre nuk u dha asnjë mundësi, pavarësisht aftësive që kishin. “Zgjodha të largohesha nga Shqipëria pasi, çdo 2 vjet kur kishte zgjedhje qoftë vendore apo parlamentare, ne kishim një stres të paparë 3 muaj përpara zgjedhjeve dhe 3 muaj pas zgjedhjeve. Nuk dua as ta mendoj më atë situatë, kur vihej në lojë edhe buka e gojës. Arsyeja tjetër ishte sepse bashkëshortja ime ishte një studente e shkëlqyer dhe nuk mundi të gjente një vend pune. Pa më thoni ju, si mund të jetonim ne në Shqipëri me 31 mijë lek rrogë dhe me shtëpi me qira”, thotë ai.

Kushtet e punës

Saimiri thotë se fillimi ka qenë i vështirë sa i takon problemeve për të mësuar gjuhën dhe përshtatja në ambientet e punës. “Fillimi si për të gjithë ishte i vështirë. Probleme me gjuhën, tjetër ambient pune, tjetër mënyrë e të punuarit, por këtu na pritën shumë mirë. Kompania i kishte organizuar të gjitha që nga pritja në aeroport, akomodimi dhe integrimi në punë. Ne kishim një punonjës integrimi me të cilin mund të flisnim në çdo kohë për problemet dhe nevojat tona”, thotë ai. Më tej ndalet edhe te diferencat në ambiente e punës, mes dy vendeve. “Po ju them vetëm një fakt, unë në Shqipëri edhe dorashkat i blija vet. Po…po i blija vetë. Mos të flasim për periudhën e dimrit, punonim me xhupa veshur. Kurse këtu ku punoi unë të paktën, kushtet janë shumë të mira”, tregon ai.

Pagat

Ledion Hajdari, është një tjetër infermier i larguar nga vendi, vitin e fundit. Pas përfundimit të studimeve, Ledioni është marrë në mënyrë intensive, me gjuhën gjermane, duke e konkretizuar në fitimin e një kontrate pune në Potsdam, një qytet në afërsi të Berlinit. Për Ledionin shtysa më e madhe, që e detyroi të largohej nga vendi, pa punuar asnjë ditë në Shqipëri, ishte paga dhe standardet e punës. “Diferencat në paga janë shumë të mëdha. Mund të them me bindje se paga neto është pesë herë më e lartë se ajo në Shqipëri, minimalja, pasi nëse marrim një mesatare, është shumë herë më e lartë”, thotë ai. Një tjetër pikë në të cilën ndalet, Ledioni është edhe te mënyra se si trajtohen infermierët në këtë vend në ambientet e punës. “Në Gjermani mundem ta kërkoj të drejtën time më shumë se në Shqipëri. Trajtimi që i bëhet infermierit në këtë vend ka shumë ndryshime në pikëpamjen pozitive. Por a e shikoni ai rikthimin në Shqipëri, si mundësi? “Nuk ka me bukur sesa të ushtroj profesionin tim në vendin tim. Sigurisht që e kam menduar, por duke parë kushtet ku ndodhet sot Shqipëria, nuk e mendoj një rikthim të afërt. Por siç thashë sipër dëshira është që ta ushtroj në vendlindje. Normalisht në kushte më të mira pune në krahasim me kushtet që punojnë infermierët sot”, përfundoi ai.