Nuk ka nevojë të ulen pensionet, lekët janë në shtëpitë e kryeministrave, ministrave dhe dashnoreve të tyre

Nga Pano Soko

Lexova që Ilir Beqaj ishte shumë i shqetësuar për krizën buxhetore që po kalojnë financat e shtetit saqë kishte propozuar uljen e pensioneve për përballimin e krizës.

Tani meqënëse buxheti i shtetit ka nevojë për ndihmë, atëherë ne si shtetas na lind detyrimi ta ndihmojmë shtetin të gjejë lekët që i duhen.

Nga KLSH është deklaruar që në 5 vitet e fundit janë shkelur rregullat e disiplinës financiare në tendera, blerje të vogla dhe konçesionime me vlerë 6 miliardë €. Këto janë procedura që janë kryer nga ministri me ministra që kanë emër dhe mbiemër dhe që janë përfituar nga biznese me emër dhe numër NUIS të njohur.

Natyrisht një pjesë e këtyre lekëve janë transferuar nëpër parajsat fiskale në off-shore. Këto nuk janë shumë të kollajshme për t’u gjetur, sepse kërkojnë vullnet institucional nga ana e qeverisë, do hetim nga organet e drejtësisë e hapa të tjerë që natyrisht sot mungojnë. Pra këto do hanë pak kohë, nuk gjensen dot mennëherë, të paktën derisa të ndërrohet establishmenti.

Por është një pjesë tjetër e këtyre lekëve që mund t’i gjejmë më shpejt. Këto janë lekë që fshehur nëpër shtëpi kryeministrash, ministrash apo ish-ministrash, deputetësh, kryetarësh bashkish, miq kryeministrash, dashnore ministrash etj.. Këto mund të shkojmë t’ua gjejmë dhe vetë ne si popull.

S’ka nevojë as për vullnet politik, as për hetim institucional, ka nevojë vetëm për një grup me njerëz dhe një libër adresash. Shkojmë aty, ua marrim dhe jam i sigurtë që ato që do gjejmë na dalin të mbushim arkën e boshatisur të shtetit dhe madje edhe t’ua rrisim pak pensionin pensionistëve.