Me këtë soj populli qeveritë do të bëjnë gjithmonë ç’të duan

Tregojnë se dikur, Harry Fultz bëri një eksperiment me studentët e shkollës që sot mban emrin e tij. Kur vuri re se atyre u shërbehej një mëngjes i bollshëm, vendosi tu hiqte çdo ditë nga një asortiment dhe të shikonte se si do të reagonin ata. Ditën e parë u hoqi djathin. Askush nuk u ndje. Ditën e dytë u hoqi reçelin. Përsëri askush nuk u ndje. Ditën e tretë u hoqi gjalpin dhe mëngjesi u katandis në vetëm bukë me çaj. Sërish asnjë student nuk u ankua.

I çuditur, Fultzi i njohur tha postulatin e tij të famshëm: me këtë soj populli qeveritë do të bëjnë gjithmonë ç’të duan.

Dhe kështu ndodhi me ne. Kush ka hyrë e ka dalë në këtë vend ka bërë ç’ka dashur me shqiptarët. 50 vjet me radhë Enver Hoxha i shojti, i preu, i vrau, por shqiptarët nuk u ndjenë. Pasardhësit e tij vazhdojnë akoma… Pa një Parlament kushtetues, pa gjykata, pa sindikata, pa votë të lirë, shqiptarët vazhdojnë të vuajnë zgjedhën e qeverive që ikin e vijnë.

Në orët e para të mëngjesit, ashtu siç pritej, pinjolli me famëkeq i Edi Ramës, futi fadromën dhe shembi godinën e Teatrit Kombëtar. Nuk bëhej fjalë vetëm për një godinë. Për dy vjet me radhë, një grup artistësh dhe njerëzish që e donin artin u mblodhën, u gdhinë dhe u ngrysën aty, lobuan në BE dhe gjetkë, bërtitën dhe u lutën që Tiranës ti ruhej e paprekur ajo copë historie.

Ishte një copëz e historisë tonë artistike, historie, e traditës. Dy vjet më radhë, ky pushtet i ruajti siç bisha ruan prenë e vet. I prezantuan për muaj me radhë si një grup i vogël halabakësh që nuk i përkrahte njeri, që nuk dinin çfarë flisnin, njerëz që nuk dinin zhvillimin. Iu sulën langojtë e medias, parlamentit e deri qeverisë. Dhe pritën me durim.

Pritën ditën kur Shqipëria (jo rastësisht) vazhdon të jetë në gjendje të jashtëzakonshme. Shkelën një vendim gjykate, por kush do ta vinte re këtë! U vuan gjoba me sebep të një Akti Normativ dhe iu futën policinë. I tërhoqën zvarrë, i rrahën i mbyllën në birucë. Dhe shqiptari tjetër, ai i thjeshti, por me pushtetin e vendosjen se fatit tij tij vetë, u mbyll në shtëpi. Sërish nuk foli. Sërish nuk u ndje. E la qeverinë që i ka vjedhur votën, jetën, shpresën të bëjë ç’të dojë.

Dhe qeveria bëri atë që deshi. Teatri Kombëtar nuk ishte vetëm historia dhe çështja e një godine. Ishte ajo çfarë përfaqëson karakterin tonë të tredhur e frikacak. Ne u kthyem! Përsëri! Ne shkruajmë statuse nëpër rrjete sociale, shajmë e mallkojmë, por nuk na e mban të dalim nga shtëpia. Ne jemi kundër, por nuk na e mbanin të shkojmë atje në shesh.

Kjo që po ndodh sot është si një film i shëmtuar që e shohim për herë të dytë. Pa bërë zë. Ata që luftuan për teatrin sot janë në burg. Ne i lamë vetëm ata. Ne pranojmë të ikim nga Shqipëria, të lemë pas prindërit, shtëpinë, të shkuarën, rrënjët, t’ia lemë atdheun tonë maskarenjve, por nuk na e mban të luftojmë. Edhe pse jemi më shumë, edhe pse jemi ne të fortët, ne nuk na e mban të dalim ne shesh te betejës.

Ne u thyem! Sërish!

Historia dhe pasardhësit tanë do të na gjykojnë./Pamfleti