“Joo, nuk e di pse ma dha shpirti që dje…”. Artistët në lot për Nexhmije Pagarushën, rrjeti ‘zien’ me fotot e bilbilit të muzikës shqiptare



Fill pas lajmit të ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shumë njerëz të artit janë shprehur në rrjete sociale se ndjejnë dhimbje për këtë lajm të hidhur.



Muzikanti i njohur shqiptar, Zhani Ciko, e cilësoi një lajm të trishtueshëm ndarjen nga jeta të kësaj ikonës së muzikës shqipe.



Në një lidhje telefonike për Neës24, Ciko tha se Pagarusha ishte padyshim një yll i muzikës, që ka lënë pas një model të këngëtares së përsosur.

“Lajmi është i trishtueshëm në kuptimin që u shkëput një yll, si ato yjet e qiellit pranveror dhe Nexhmije Pagarusha është një yll, që do të mbetet në muzikën shqiptare. Një personalitet i padiskutueshëm, maksimal, sidomos në fushën e këngës popullore, ku ka sjellë modelin e një këngëtareje të përsosur, pasi zotëronte një vokal të shkëlqyer. Ajo ka sjellë disa modele, që janë pika referimi.”

Dafina Zeqiri ka postuar një foto pranë Nexhmije Pagarushës dhe në përshkrimin e fotos ka vënë disa emoji të pikëlluara.

Ndërsa kompozitori Edmond Zhulali e ka konsideruar Pagarushën si një këngëtare të rrallë për artin dhe muzikën shqiptare.

“Është një lajm shumë i hidhur në radhë të parë për artin shqiptar dhe atë kosovar pasi Nexhmije Pagarusha ishte një këngëtare e mrekullueshme pasi ka lënë një zë të mrekullueshëm në botën muzikore shqiptare. Lajm i dhimbshëm pasi ajo ishte e sëmurë prap artistët shqiptarë janë shumë të dashur për publikun sidomos me ne që kemi qenë kolegë. Mbaj mend kontaktin e parë me të, kur ajo ishte e ftuar nderi në Festivalin e RTSH. Ishte njeri i rrallë edhe nga pikëpamja njerëzore dhe komunikimi. Ishte një fakt që unë nuk e dija pasi dinim se Nexhmije Pagarusha kishte studiuar për kanto, dhe kur më tha që zërin e kam natyral pasi ajo ka një shtrirje për kanto duke kënduar për gjithë këngët edhe popullore dhe është rast i rrallë”- është shprehur kompozitori.

Ermal Mamaqi shkruan:“Lamtumirë Mbretëresha e muzikës shqiptare. Nexhmije Pagarusha”

Irma Libohova mes dhimbjes ka shkruar:

“E kam kënduar dje këngën e saj tek shkallët e shtëpisë.Nuk e di pse ma dha shpirti. Jooo. Zëri I bukur 3 oktavësh nuk është më.Të prehesh në paqe e madhërishmja ikonë Pagarusha.”

Ndërsa Tuna Sejdiu shkruan në postimin e saj:

 “Shumë prej nesh që jemi ngjitur në skenë kemi ëndërruar të jemi vula e kohës tonë. Ti je vula e të gjitha gjeneratave muzikore…. dhe jo vetëm. Ti je vula e të gjitha kohërave.”

Capital T: “Sot humbem nje nga ikonat me te mdha te muzikes Shqipe, ngushllimet me te perzemerta familjes. Pusho e qete bilbili i Kosoves. NEXHMIJE PAGARUSHA 1933-2020”.