Jepu një rrogë dhe e mbyllin gojën

Ka mësuar nga më i miri Lali Eri se si mbahet pushteti. Vidh e vidh sa të mundesh dhe bli gazetarët që të mos flasin. Ata që nuk shiten, mbyllju mediat dhe kërcënoi. Edhe me jetë po qe nevoja. E ka nisur këtë “modë” kryeministri dhe po e zhvillon akoma me më shumë sukses Erioni i bashkisë ndërkohë që ëndërron ditën kur do të ulet në karrigen e atij që dikur e kishte mësues shpirtër dhe jo vetëm.

Me siguri pakkujt i ka shpëtuar lajmi se Bieta Sulo i ishte bashkuar ushtrisë së gazetarëve të shitur tek pushteti. Edhe ajo rezulton të jetë në borderotë e shtetit që merr rrogën pa shkuar asnjë ditë në punë. Bieta Sulos i shkojnë çdo muaj në llogarinë bankare 55 mijë lekë si specialiste e Ujësjellësit të Tiranës.

Do të pyesni ju, kush është Bieta Sulo?

Pyetje me vend. Bieta është prezantuesja e emisionit të mbasdites në Top Channel dhe (vini re!), bashkëshortja e dytë e Alban Dudushit. Merita mëse të mjaftueshme që edhe Bieta të vlejë aq sa për të përfituar nga taksapaguesit shqiptarë. Drejton një emision që mund ta vërë në dispozicion të lajmeve të bashkisë sa herë që kjo e fundit dëshiron dhe ndan jetën me Albanin, i cili e shiti ashiqare “nderin” profesional më pak se një vit më parë.

Nëse e mbani mend, edhe Alban Dudushi u tërbua ca kohë dhe iu kthye kundër këtij pushteti. Bjer e bjer sa herë dilte në ekran. Papritur, një ditë të bukur, edhe ai u kthye në shërbëtor çka i ra në sy dhe u komentua fort nga opinioni publik.

Çfarë kishte ndodhur me Albanin?

Ngjyu kafshatën edhe ai. Paratë janë të ëmbla. Në atë kohë (vera e vitit të kaluar) Albani pa pritur e pa kujtuar u katapultua në Bordin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, një shpikje e Erion Veliajt që ka si qëllim mbështetjen financiare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë civile. Pra AMSHC, (aktualisht në varësi të Ogerta Manatirliut), shpërndan fonde për ojf.

Punë e bukur fort! Por Albani ka edhe grua. Ajo quhet Bieta, dikur gazetare në emisionin e tij, tani është prezantuese e emisionit të mbasdites në Top Channel. Pra edhe ajo e do një çapë bukë nga paratë e taksapaguesve të këtij vendi dhe Erioni ka plot ndërmarrje ku mund të rregullojë rangje të tilla gazetarësh. Ku më mirë se tek ndërmarrja e ujesjellësit të Tiranës. Specialiste, paga 55.000 lekë.

Mos u çudisni! Për më tepër që Bieta nuk e ka për herë të parë këtë eksperiencë në institucionet shtetërore. Përpara ujesjellësit ajo ka qenë specialiste edhe tek Fondi i Sigurimit Shëndetësor. “Punoi” aty me muaj edhe pse nuk e pa kush as të hynte e as të dilte nga dera e këtij institucioni. Në emër të saj derdhej rroga çdo muaj sepse Bieta ka burrë, punon në Top Channel e mund të shërbejë për diçka. Pasi korri Fondin dhe pasi Albani e lidhi mirë me Erionin, edhe Bieta shkoi tek ujësjellësi. Si ca shoqe të tjera të vetat.

Mirëpo natyrshëm na lind pyetja: A ka shkuar ndonjë ditë në zyrë Bieta? A e respekton orarin zyrtar Bieta? Çfarë detyre kryen ajo saktësisht? Cili është përshkrimi i vendit të punës së saj dhe sa e përmbush Bieta?

Edhe sa të tjerë ka si Bieta në Institucionet shtetërore?

Do të thoni ju, është edhe Mira Kazhani, por kjo e fundit ka ambicie më të madhe se një prezantuese. Pa diskutim që po! Mira është këshilltare tek ujesjëllësi, por për çfarë këshillon vallë? Për gjëra të mira me siguri! Mira lëpin më mirë dhe më shumë se kolegia e saj. Është edhe rang më i lartë. Prandaj Erioni i besoi jo vetëm këshilltaren, por (siç thuhet lart e poshtë), i plotësoi edhe ëndrrën të kishte një portal të vetin on line.

Kështu i ngopi ushtaret e veta Erioni. Madje në kohën kur Fusha shpk kryente punimet publike në qendër të Tiranës ka dhënë shumë rroga të tilla si qoka për kryetarin. Atje po, që ca gazetarë bënë festë me rroga të dhëna kot. Firmosinin në borderotë e bashkisë dhe lëpinin shefin nga një herë në ditë.

Sot dolën sheshit emrat e Bieta Sulos dhe Mira Kazhanit. Disa muaj më parë dolën ca emra të tjerë të listuar si specialistë në Bashkinë që drejton Erion Veliaj. Ndërsa po ti hysh më thellë kësaj historie ka histori e histori. Ka emra nga ata që i shohin çdo ditë në ekran, por që nuk e shesin veten për 500 mijë lekë. Ata janë piaca e lartë që i kanë vënë damkën këtij profesioni. Që luajën fort dhe që paratë i marrin në forma të tjera. Ndoshta do të flasim një ditë edhe për ta.

Sot ishte dita e këtij soji: jepu një rrogë dhe e mbyllin gojën…/Pamfleti