Ilir Beqja bën lëvizjen e papritur në Shkodër: Të gjithë drejtorët të japin dorëheqjen, në të kundërt…





Me detyrim – përcaktim, Ilir Beqaj ka bërë që të gjithë drejtorët rajonal të Shkodres të firmosin tek ai një leter dorëheqje dhe të angazhohen në fushatën e 25 prillit 2021. E padëgjuar më parë, kjo strategji e të deleguarit të qarkut Shkoder dhe të besuarit të Edi Ramës, ka ndodhur menjëherë pas mbledhjes që ka patur në selinë e PS me drejtorët.



Kërkesa mësohet se ka ardhur pasi një pjesë e madhe e tyre nuk janë angazhuar sa dhe si duhet për partinë, por kanë vijuar punën vetëm në postet që u janë besuar. Kjo nuk i ka pëlqyer Beqajt, i cili ka mbi supe barrën e votave dhe objektivit që ka shpallur kryeministri për një mandat të tretë, prandaj duke mos gjetur gjuhën e bashkëpunimit, ka zgjedhur rrugën e kërcënimit.

Marrja e një firmë të tillë dhe një veprim që vjen në prag fushate, dëshmon jo vetëm frikën në të cilën është përfshirë forca politike që drejton vendin, por dëshmon edhe mënyrën se si ajo mbledh votat. Presioni me vendin e punës është i njohur dhe Ilir Beqaj nuk kishte si të bënte përjashtim, pasi me këto firma të drejtorëve, u hap rrugën atyre të rrisin oreksin diku tjetër dhe të shkarkojnë këtë energji negative tek stafet e punës dhe qytetarët që do të marrin shërbimet.

Në një formë të thënë më thjesht, kjo legjitimon presionet në këmbim të votës dhe asgjë më shumë, strategji kjo që në politikën shqiptare është e njohur prej 30 vitesh, e për fat të keq duket se do të vijojë sërish. Mazhoranca në pushtet e nis me të sajët dhe pritet ta shtrijë këtë model, pa pyetur për asgjë. Edhe në këtë rast i deleguari Beqaj nuk pyeti as për status të nënpunësi civil, as për CV-në e drejtorëve dhe për asgjë tjetër, sepse në prag fushate të gjitha bien poshtë përpara votës së partisë./ShkodraNews