“Goditja që mori Rikard Ljarja në ’81 pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut”, zbulohen prapaskenat si iu përgatit dosja aktorit të njohur

NGA ILIR DEMALIA

NJERIU RIKARD LJARJA

Rikard Ljarja ka folur me heshtjen shumë më shumë se hipokritët e tam-tameve “antikomuniste”.

Këto ditë kam lexuar njerëz te cilët nuk e kanë njohur Rikard Ljarjan, ku e gjykojnë atë për një deklaratë. E kanë njohur vetëm nga ekrani dhe bezja e kinemasë. Pa pasur një marrëdhënie shoqërore me të, megjithëse, Rikardi, ishte njeriu më i shoqërueshëm dhe me një thjeshtësi të rrallë, me një kulturë elitare. I kanë lëshuar “Shpatën e Demokleut” për një deklaratë të tij para dy vjetësh, “Se unë nuk kam vuajtur në komunizëm dhe nuk kam pse e shaj atë”

Duke njohur Rikardin, unë them se janë tre mundësi: 1. keq interpretim nga konteksti. 2. Lapsus i Rikardit. 3 Sinqeriteti i tepruar i Rikardit, i cili, ka dashur te thotë, se mua nuk më takon pasi kam bërë gjithë atë propagandë me filmat e mijë, (sipas ideologjisë se asaj kohe) të bërtas tani si i “persekutuar apo antikomunist” siç rëndom ndodh edhe sot me “heronjtë e antikomunizmit”, ku jo vetëm nuk kanë vepër, por në të kundërt i kanë shërbyer dhe me zell….e për mos të shkuar më tej.

Kjo sopatë i ngrihet pikërisht në ditën kur Ai, largohej për në Amshim, në vendin e lindjes sipas AMANETIT që kishte lënë. Pikërisht në atë varrezë ku ishin varrosun elitarët katolik të klerit dhe para-ardhësit e Rikut, në varrezat e Rrmajës.

Pikërisht aty ku u ba Mesha e parë nga një Klerik në 1990 qysh pas ndalimit të fesë në 1967, nga Dom Simon Jubani, I cili kaloi për 23 vjet kalvarin e burgjeve komuniste.

Ne që kemi punuar me Rikun, siç e thërrisnim, e njohim shumë mirë, që Riku, jo që nuk ishte komunist dhe të kishte simpati për komunizmin, por ishte e kundërta.

Riku, nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës aksionesh apo njeri që i ngjitej strukturave të shtetit dje apo dhe pas 1990. Njeri që nuk e përdori kurrë emrin për avantazhe as gjatë regjimit komunist as pas në demon(shkërdhato)kraturën e pas 1990.

Gjithmonë njeri i mendueshëm, tepër i kujdesshëm dhe xhentelman në sjellje në kuptimin e plotë të fjalës. Riku e njihte shumë mirë se ç’kishte bërë regjimi komunist në Shkodër në vitet e para të “çlirimit”, pikërisht me Klerin Katolik dhe me katolikët si njerëzit ma të kulturuem dhe me vokacion perëndimor në Shqipëri. Ishte kleri katolik që kishte ndriçuar vendin dhe kishte krjuar back-bone-nin kombëtar.

Riku e dinte “Lahutën e Malcisë” dhe veprën e jetën e poetit tonë kombëtar përmendesh. Nuk kishte si të ishte ndryshe. Daja i Rikard Ljarjes, pra vëllai i Nanës, ishte Anthon Logoreci, i rritun fëmijë si shërbestar i Kishës Françeskane me At Gjergj Fishtën. Nga Kolegji Françeskan Saverianum, shkoi në Shkollën teknike Harry Fulc në Tiranë ku mbaroi me HONOR në të gjitha lëndët. Pas shkollës Harry Fullz shkoi në fshatrat e Shkodrës si mësues. Në fillim të viteve 30 u largua drejtë Londrës për të studiuar ekonomi. Me fillimin e luftës nuk u kthye më në atdhe dhe ngeli ne Londër.

Mbas luftës Ai drejtoi “Radio Londrën” si drejtor i saj për vite me radhë. Ka shkruar studime për politikën e Europës Lindore, ka vepruar si diplomat dhe në shërbim të atdheut kundër regjimit komunist. Qe në emisionin e parë ne “Radio Londra” denoncoi ashpër Enver Hoxhën dhe regjimin komunist dhe pasojat që do të kishte Shqipëria. Është cilësuar si komentatori më i mirë për Europën Lindore. Xhaja i nënës Rikut, është Mati Logoreci përfaqësuesi “Shoqërisë Agimi te Shkodrës” në Kongresin e Manastirit. Nuk po zgjatem se njihet si një figurë madhore e Rilindjes Kombëtare.

Babai i Rikut ka studiuar 14 vjet në Vienë dhe u kthye mësues në Shqipëri. Kjo biografi e bënte Rikun të ishte shumë i tërhequr dhe shumë i kujdesshëm dhe disi të vetmuar. Mbas 1990, Rikun, nuk e ke dëgjuar kurrë të mburret me dajën e tij apo Logorecët, si ç’bëjnë rëndomë sot, ata që as kanë qenë të persekutuar dhe as kanë ndonjë vlerë apo aq më pak një akt publik kundër regjimit. Në të kundërt, si pavlefshmëri kanë pranuar ofertat apo dekoratat e komunistëve Berisha, Bujar Nishanit që mbronte me automatik në dorë monumentin e Enver Hoxhës në Shkollën e Bashkuar në shkurt 1990 sebashku me Alfred Pezën, që sot na mësojnë leksione demokracie. Apo ata që po rrinë në pritje të ndonjë dekorate nga Presidenti i tanishëm Ilir Meta duke i bërë punë-dore njëherë në dy ditë si . . . Pafytyrësia nuk ka fund në këta “antikomunistë”.

Riku, as nuk kërkoi dhe as nuk pranoi një gjë të tillë. Riku nuk e shfrytëzoi pozicionin e Tij, për të zhvatur prona apo marrë pozicione, as për të rregulluar fëmijët e tij në administratë apo institucione shtetërore. Pasuria Rikut, ishin miqt e Tij, Saimir Kumbaro, Fatos Baxhaku, Mihal (Misha) Rama, e,t,c ku pinin kafe poshtë pallateve ku jetonin. Pallateve të punës vullnetare të kohës diktaturës nga dhe ku u përcoll për në Varrezat e Rrmajës në Shkodër.

Në 1981 kur Mehmet Shehu vrau veten, Riku pësoi goditjen tjetër të terrorit psiqik. Riku ishte me xhirime me filmin “Skëterrë 43” me skenar të Bashkim Shehut, djali kryeministrit Mehmet Shehu. Dihet si shkonin punët në raste të tilla. Rikard Ljarjes iu përgatit dosja për transferim në Shkodër. Jo në Teatër! Violeta Koçi, shefja e kuadrit të Kinostudios i thotë Saimir Kumbaros, “Rikut i ka ardhur dosja për transferim në Shkodër.”

Regjisori Saimir Kumbaro, si ç’ishte Saja, allçak, me atë kurajon e tij, ja tregoi këtë Rikardit, duke e sugjeruar që të fliste me Neshat Tozaj, i cili në atë kohë ishte shefi redaksisë së filmit në Kinostudio, ndërsa vëllai tij, Sihat Tozaj ishte sekretar i Ramiz Alisë.

Neshati foli me të vëllain . . . kjo u mor vesh pasi Ramiz Alia kishte dhënë urdhër të tërhiqej dosja e Rikardit nga Kinostudio për transferim.

Nuk mund të merrej një masë e tillë, pasi, fytyra e Rikardit, ishte në të gjitha filmat. Nganjëherë njeriut i vijnë në ndihmë situatat dhe rrethanat. Ashtu edhe në shkollën e aktrimit, Rikardi, shkoi pasi i kishte dalë shkolla dy vjecare. Për të evituar ushtrinë shkoi në aktrim. Pas mbarimit të shkollës e derguar në Teatrin Migjeni. Kështu pohon vetë Rikardi në një intervistë vitet e fundit. Rikardi, më pas thotë, se po mos kisha xhiruar filmin “Komisari Dritës” do isha bërë muzikant. Rikadi i luante piano, firzamonikë, pikturonte. Ishte një shpirt artisti.

Kurrë nuk është mburrur me filmat e tij. Ka thënë gjithmonë se ato filma ishin ideologjik dhe propagandë, skematikë. Por si kushdo që kishte një punë, si ata që ishin gazetarë, si ata që këndonin, si piktorët, skulptorët, ishin në shërbim të propagandës partisë. Një armatë e tërë. Por ku ishin këta “heronjtë” që sot bëjnë sikur kanë kaluar Kalvarin e Golgotës?!!

Rikard Ljarja, ishte portret i jashtëzakonshëm dhe kishte një mardhanë me kamerën tepër jetësore si pak aktorë shqiptar, ku numërohen me gishtat e njërës dorë. Jo patetik dhe skematik, jo teatral si pjesa më e madhe e artistëve.

Por mbi të gjitha Rikard Ljarja ishte një njeri qytetar, fisnik, i paqshëm, me një kulturë të jashtëzakonshme dhe njëkohësisht i thjeshtë si fëmijë.

E sot shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz të tillë dhe jo për pordhaceve “antikomunistë” që janë bërë një neveri ashtu si vetë shoqëria, ku ata me tallava “antikomuniste”, nuk janë gjë tjetër vetëm se antipodi komunist.

Pusho në paqë njeriu i mrekullueshëm Rikard Ljarja.