Edi Rama është kapur!



Nga Sokol Pepushaj



Hajnia po shihet si një vepër hyjnore këto kohë. Vetë i vjedhuri, populli, i lutet hajdutit, më ndërto rrugën, shkollën, spitalin, me rrit të ardhuarat, më eduko fëmijët. Pastaj, vjen një ditë e bëhet “ateist”. Nuk i beson më gjatë Perëndisë së tij. Dhe kur zëmërohen njerëzia me perenditë, marrin gurët dhe i gjuajnë pa mëshirë.



Kështu ka ngjarë me Sali Berishën në vitin 1997, kështu ka ngjarë me Fatos Nanon më 2005. Madje me Nanon, aq i fortë ishte zëmërimi, sa shqiptarët ju rikthyen një besimi që tetë vite më parë e kishin larguar me armë. Ju rikthyen Berishës, perëndisë që solli mbi 4000 të vrarë vetëm në tërheqje.

Historia jonë ka ecur tetë hapa para e gjithmonë është kthyer po tetë hapa pas, si me thënë në vëndin e nisjes.

Po, në vitin 1990, u nisëm për dikund. Bëmë 30 vjet xhirim gomash në vënd dhe jemi po aty, po në atë vënd, duke gjuajtur me gurë bijtë e komunistëve, që tashmë janë bërë edhe të pasur, edhe cipëplasur.

Pra, kemi politikanë e pushtetarë që duan të bëjnë demokraci me komunistë, që luftojnë korrupsionin me hajdutë dhe kanë mbledhur gjithë zëmëratën për të qëlluar mbi perëndinë e tyre, Edi Ramën.

Po pse kaq mllef kundër kryeministrit?!

Gjithmonë kështu ndodh. Kali që kapet e fshin lëmën, të tjerët harlisen lëndinave. Edi Rama është kapur.

Është kapur jo vetëm nga krimi, por edhe nga i vjedhuri. Madje i kanë kapur edhe gjënë.

Gjithandej flitet se Edi Rama ka vjedhur bukur, më bukur se të tjerët, por nuk ka fshehur bukur, si të tjerët.

Po ç’lidhje ka fshehja, rëndësi ka vjedhja.

Edhe ata që kanë fshehur me profesionalizëm, kanë gënjyer veten, se amerikanët i kanë gjurmuar me fanatizëm.

Kur dosjet nuk ishin hetuar, presidenti i Republikës Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama mbanin në mashë “thëngjillin” e mbuluar me hi, për të përvëluar qëllimin e Amerikës dhe Bashkimit Europian dhe nxirrnin kunjin me njerëzit, duke ndërruar pushtetin vetëm me formulën “çudibërëse” të LSI-së.

Zëmërohej LSI në fund të pushtetit socialhajdut, kalonin Iliri, Monika Petrit Vasili dhe Spartak Braho djathtas e bëhej rotacioni. Pastaj, ata e mbaronin ciklin e kalonin prapë në anën tjeter të “rrugës”, nga demokrato-hajdutët. Sërish bëhej rotacioni medemek politik e njerëzia kapnin gurët, si andej nga Meka për të qëlluar mbi Djallin që nuk e kishte shpërndarë mirë plaçkën e vjedhur në popull.

Ka ndodhë shumë herë, çdo herë, po ndryshe këtë herë.

Që tashti, Ilir Meta lëshon zë se është mërzitur me pushtetin e do të kalojë në rrugën tjetër, djathtas.

Pikërisht se çdo herë ka ndodhë, nuk mund të ndodhë.

Nuk mund të ndodhë, sepse politika sot është e vogël, sa ekrani i një celulari, nuk mund të ndodhë, sepse partitë janë të vogla, sa grupet e hajdutëve, drogmenëve, parazitëve, nuk mund të ndodhë, sepse viktimat kanë kapur edhe hajdutin edhe gjënë e vjedhur e nuk e lëshojnë, nuk mund të ndodhë, sepse dosjet e krimit dhe korrupsioni janë kopsitur dhe janë bërë gati prangat.

Sot, të gjithë politikanët dhe pushtetarët janë para prangave, sot të gjithë i kanë të bllokuara llogaritë bankare.

Prandaj janë tërbuar, prandaj janë në formacionin ushtarak në mbrojtje të gjësë së vjedhur, prandaj ambasadorja Yuri Kim u tërhoqi vëmëndjen të mos e tërheqin shumë litarin antiamerikan, duke u kujtuar se pse janë bashkë, duke përsëritur atë shprehjen e famshme të ambasadorit Donald Lu, se hajdutët, të majtë e të djathtë, ka të ngjarë ta kalojnë jetën e mbetur bashkë, në një “dhomë”.

Kryeministri Rama, nuk ka hall se do lërë pushtetin, por se ka rënë kështjella e krimit. Nuk munden ta pranojnë këta të bëjnë transparencë pasurie, megjithëse popullit ja grabitën pasurinë në emër të ligjit, të shtetit, të forcës dhe ndëshkimit.

Ka ndodhë ajo që presin gjithë shqiptarët.

Rama bashkë me të tjerët është hetuar e përgjuar. FBI pritet vetëm t’i vëndosë prangat./Pamfleti