Cungu: Jam i kënaqur me barazimin, rrezikuam ndaj Vllaznisë!

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, e pranoi se barazimi ishte rezultat pozitiv për skuadrën e tij, duke parë sesi shkoi ndeshje, sidomos në pjesën e dytë.

Në një prononcim për mikrofonin e “Supersportit”, Cungu tha se skuadra e tij rrezikoi deri në minutat e fundit.

“Pjesërisht jam dakord që nuk meritonim më shumë se barazimi. Por po ta kapim si minutazh, mendoj që ishim më dominues se Vllaznia, sidomos në pjesën e parë, me një pasim më të mirë para portës, mund të kishim shënuar. Në pjesën e dytë, deri në momentin e acarimit, ishim mirë, më pas ekipi u tkurr dhe vumë në rrezik rezultatin e ndeshjes. Një pikë ishte e drejtë kështu siç shkuan punët”, tha ai.

Ndeshje me dy tablo: Luanim jashtë. Isha i bindur se si do luante Vllaznia. Është një ekip që tentoi të na priste. Mbrohet me shumë forca dhe tenton të organizohet kur ekipi kundërshtar gabon në mesin e fushës, duke përdorur kundërsulmet e shpejta. Duhet të ishim në ekuilibër për sa i përket mënyrës së lojës. Në pjesën e parë kishim 3-4 raste shumë konkrete për të shënuar. Ishte një ndeshje me 2 tablo, por duhet thënë që ishte një pikë që na vlejti.

Terren i rrëshqitshëm: Në ditët e fundit jemi stërvitur në fushën e Laçit me bar. Duhet t’iu përshtatesh kushteve, nuk bëhen veprime te guximshme në një terren të tillë. Duhet të luash sa më shpejt. Janë gjëra që i kemi vuajtur, sidomos me Tiranën në Laç. E vuajtëm me Tiranën edhe sot nuk arritëm të përshtateshim.