Çfarë ndodhi te skena kritike e “Dedës” në shtyllë, Saimir Kumbaro: Është kaq dëshpëruese…

Saimir Kumbaro kapërdin dhimbjen për humbjen e kolegut-mik dhe përpiqet ta nderojë përmes kujtimeve. Me kineastin e kanë lidhur më tepër edhe bashkëpunimet në filma, si “Rrugë të bardha”, “Ilegalët” apo “Rrugicat që kërkonin diell”.

Dashuria për filmin, por edhe rrethanat e jetës, bënë që miqësia e tyre të bëhej më e fortë, e vitet e fundit, siç regjisori tregon, rrokeshin në të shkuarën përmes kujtimeve.

Kujtime që u shkaktonin humor si batuta e Ljarjas në restorantin e oficerëve, ku kishin shkuar për të ngrënë një kafshatë bukë gjatë realizimit të filmit “Yjet e netëve të gjeta”.

Apo të tjera që i bënin nostalgjik veçanërisht për punën në Kinostudio, pavarësisht vështirësive, si në rastin e xhirimeve të “Rrugë të bardha”, ku siç regjisori rrëfen, u është dashur të flinin deri 3-4 veta në një dhomë.

“Madje as aty s’mund të rrinim, pasi duhet të ishim në gatishmëri e të prisnim dëborën që të binte”, tregon ai për “Panoramën”. Për këtë film, ku aktori gdhendi edhe një nga rolet më të rëndësishëm, Kumbaro tregon edhe momentin kritik të realizimit të skenës me Dedën në shtyllë. Një lopatë me guralecë dëbore që hidhet në portretin e Ljarjës, në temperatura ekstreme, një ventilator që ndihmon realizimin e skenës, e aktori që s’bëzan, ndonëse gjysma e fytyrës i ishte mpirë… “Ky ishte Rikardi”, – thotë Kumbaro, ndërsa provon të fsheh zërin që i dridhet.

“Unë jam shumë i dëshpëruar për këtë humbje të madhe. Ajo që më dëshpëroi akoma më shumë, ishin këto rrethana në të cilat ne dje përcollëm kolegun, mikun tonë. Dje, Rikard Ljarja u përcoll nga makina e funeralit dhe dy të tjera pas saj. Në një kohë që kortezhi duhet të ishte ndryshe, qindra makina duhet të përcillnin këtë njeri. Mendoj se në raste të tilla do të mund të bëhej edhe ndonjë përjashtim, pasi njerëzit do t’i respektonin rregullat. Është kaq dëshpëruese kjo situatë, e provuam pak ditë më parë edhe me Gëzim Krujën. Është kaq e trishtë jo vetëm për këta artistë të mëdhenj, por për çdo njeri që ndahet fizikisht nga kjo botë, të varroset nga punonjësit e bashkisë. Mendoj se në raste të tilla duhet të ketë tolerime, që njerëzit të mund të japin lamtumirën siç duhet. Unë nuk munda të shkoj në Shkodër, ndërkohë që e ndieja të nevojshme që tufën e luleve mikut tim të mos ia çoja në makinë, por aty ku do të prehet, në Varrezat e Katolikëve në Shkodër”.