Basha kërkon një “17 maj” të dytë, qeveri 100 ditëshe për të bashkëqeverisur me Ramën

Lulzim Basha ka nisur të marrë masa për të shpëtuar karrigen e kryetarit të PD që i rrezikohet nga kundërshtarët, nëse në përballjen e ardhshme elektorale nuk do të arrijë të marrë pushtetin.

I gjendur nën goditjet e forta të ish kryeministrit Sali Berisha e të mediave afër tij, që i kujtojnë se sa të jetë ai në krye të opozitës Edi Rama nuk rrëzohet, po kërkon rrugët e daljes nga situata.

Duke qënë se është akuzuar nga të vetët, por dhe nga kundërshtarët që janë larguar nga PD se gjithnjë ka arritur marrëveshje të fshehta me kryeministrin Edi Rama, ajo e 17 majit 2017 është më evidentja, Basha po mendon një rrugë të re bashkëqeverisjeje.

I pasigurtë se mund të vijë në pushtet në këtë gjendje në të cilët ndodhet opozita, që për dy vite me radhë i ka humbur të gjitha kauzat politike duke dalë jashtë sistemit pas djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore, lideri i PD propozon një qeveri 100 ditëshe para zgjedhjeve.

Qeveria e përbashkët mes PD e PS, do jetë kujdestare për përgatitjen e një procesi zgjedhor sa më efikas, por që do drejtojë dhe ekonominë e vendit, do mbajë rendin përmes një drejtori të ri policie e do të bëjë që të funksionojë shteti deri sa të shpallet fituesi i zgjedhjeve.

Është një ndarje e pastër pushteti, që nëse funksionon mirë për zgjedhjet e radhës, pavarësisht rezultatit që do të marrin në ballafaqimin elektoral, do vijojë të funksionojë dhe me një kabinet të ri të një koalicioni të madh PD-PS, që do “kalonte të gjitha reformat”. Kuptohet, në kurriz të LSI.

Këtë skenar me sa duket sheh Lulzim Basha si të vetmin shans për të sjellë demokratët në qeverisje, duke ndarë përgjysmë pushtetin me socialistët. “Më mirë një vezë sot se një pulë mot”, thotë një proverb i njohur shqiptar.

Një skemë të tillë e ka përmendur dhe deputetja demokrate e bashkryetare e komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari. Sipas saj, qëllimi i kërkesës për qeveri 100 ditëshe nga ana e PD nuk janë zgjedhjet, por ndarja e pushtetit.

“Kjo duhet menduar mirë. Ju kujtoj marrëveshjen e 2017, ishte e ngjashme, gjë që tregon se kjo nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme siç pretendon opozita jashtë parlamentit. Ata ashtu si edhe unë e luftuam rezultatin e zgjedhjeve. Kush e beson atë qeveri kujdestare. Kushdo që të jetë në atë qeveri është një njeri politik. Pra i bie që kërkon pushtet të përbashkët. Shoh vetëm një dëshirë për të ndarë pushtetin, dhe qëllimi nuk janë zgjedhjet”, ka deklaruar Rudina Hajdari./Pamfleti