30 vjet në shërbim të vendit, por vetingu shkarkoi kolonelin me biçikletë, revoltohet gazetari: Mos u dëshpëro Besim Shabani, ti pe sesi elitat erdhën me kostum doku dhe u bënë oligarkë



Gazetari Artan Hoxha reagon i revoltuar dhe ironizon procesin e vetingut në polici, pas shkarkimit të Besim Shabanit, zëvendës drejtorit për Sigurinë Fizike të personaliteteve të larta dhe familjeve të tyre, në Gardën e Republikës.



Gazetari Hoxha shkruan se si për 30 vite Besim Shabani i shërbeu Republikës së Shqipërisë, bilanc karriere prej të cilës mori një makinë të ’93-shit, një biçikletë me të cilën shkonte në punë, dhe një apartament 70 metra katror parafabrikate. Mosjustifikimi i pasurisë ishte arsyeja e shkarkimit të tij.



Mos u dëshpëro, i shkruan gazetari Hoxha kolonelit të njohur dhe të respektuar nga shumë persona. Me ironi Hoxha thotë se si Shabani në 30 vite punë pa sesi në Tiranë ata që erdhën me “kostume doku” u shndërruan në oligarkë. Ndërsa Besim Shabani që nuk shkeli asnjë ligj, nga sot është i papunë.

Shkrimi i plotë i Artan Hoxhës:

Një tjetër “thagmë”, nga ato me “peshq të mëdhenj”, nga vetingu.

Vetingsat, më në fund sot, kanë “mbërthyer për fyti peshkaqenin e madh”.

Dhe çfarë peshkaqeni?!

Nje kolonel që i ka shërbyer Republikës së Shqipërisë për afro 30 vite, dhe si bilanc të karrierës së tij, kishte një apartament 70 metra katrorë parafabrikat, nga ata të socializmit, një veturë prodhim i vitit 1993, një biçikletë me të cilën shkonte dhe kthehej përditë nga puna, dhe gruan mësuese shkolle…

Bravo VETINGSA, pas Arben Frasherit kapët “peshkaqenin” e radhës, që ishte maskuar në një apartament parafabrikat, dhe pas një biçiklete…

Pak ore më parë, Komisioni i Jashtëm të Vlerësimit, vendosi të përjashtojë nga Garda e Republikës, zv-komandantin e kësaj strukture, me pretendimin, se nuk justifikon pasurinë….

Besim Shabani, zv drejtor për Sigurinë Fizike të Personaliteteve të Larta të Shtetit dhe familjeve të tyre, në Gardën e Republikës eshte flakur në rrugë prej vetingut.

Njeriu që për afro 30 vite, ka ruajtur jetën e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare, që ka parë me sytë e tij, sesi elita politike e ardhur me kostum doku, u kthye në oligarkinë e vërtetë të këtij vendi, nga sot paradite është i papunë, dhe i njollosur sepse nuk ka guxuar të shkelë kurrë ligjin…

Mos u dëshpëro Besim Shabani, çdo kryeminister dhe president i këtij vendi besoj të ka parë qoftë dhe një herë të vetme, të ka takuar qoftë dhe njëherë të vetme, dhe mbase kujtohen sa i “korruptuar” dhe “i kamur” je berë..

Garda e Republikës, sot ka humbur një oficer model, që ka shërbyer në të gjitha qeveritë postkomuniste.

Por askush nuk ia ka fajin, qe nuk beri ca miliona korrupsioni, duke qendruar aq afer peshkaqeneve te vertete te medhenj, dhe ti kishte lene menjane per nje dite te zeze si kjo e sotmja…

Ne foto: “Peshkaqeni i madh” Besim Shabani, para toges se ekzekutimit te Vetingut…