12-vjet Pavarësi e Kosovës/ Meta e ka me Ramën dhe Thaçin, ia jep mesazhin

Presidenti, Ilir Meta,  mori pjesë në ceremoninë e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga ambasada në Tiranë.

Teksa shprehu mbështetjen e tij për mesazhin e fundit të Sekretarit të Shtetit të z. Pompeo që tha se në zemër të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjelltë midis dy vendeve, Ilir Meta dha mesazhin e fortë për të gjithë ata që kanë mbështetur ndryshimin e kufijve në Ballkan.

“Nuk ka dhe nuk ka për të pasur asnjëherë zgjidhje të qëndrueshme duke menduar një zgjidhje me më pak shqiptarë në Serbi dhe me më pak serbë në Kosovë. Do të ketë vetëm vuajtje dhe vetëm konflikte”, tha ai.

Meta nënvizoi në fjalën e tij se në Ballkan çdo popull dhe çdo komb është shumicë në një shtet dhe pakicë në një tjetër dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve por e vetmja zgjidhje është respektimi i njëjtë i standardeve evropiane të çdo pakice në çdo vend.